Gjilani po kalon nëpër një periudhë tejet të vështirë që mund t’i kushtojë shtrenjtë në fund të kampionatit.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e 34-të, skuadra kuqebardhë pësoi një humbje të dhimbshme në shtëpi me rezultatin 1:2 përballë Llapit, një kundërshtar direkt që po lufton për t’i shpëtuar zonës së rrezikshme.
Ndeshja nisi keq për vendasit, pasi Aianit Hasani u tregua i pamëshirshëm duke realizuar dy herë brenda pjesës së parë, konkretisht në minutat 7 dhe 26, për t’i dhënë ekipit llapjan një avantazh të rëndësishëm.
Ndonëse kapiteni Armend Thaqi në minutën e 15, rizgjoi shpresat e gjilanasve me një eurogol të shënuar nga gjuajtja e lirë, ky realizim mbeti vetëm për vlerë estetike, pasi Gjilani nuk arriti të përmbyste rezultatin deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.
Kjo disfatë e zhyt ekipin në një krizë të thellë rezultatesh, pasi kjo ishte xhiroja e shtatë radhazi që ata nuk arrijnë të arkëtojnë pikët e plota.
Për më tepër, fitorja e fundit e Gjilanit daton që nga java e 17-të kundër Prishtinës së Re, një statistikë që tregon qartë rënien drastike të formës.
Tashmë, kur kanë mbetur edhe vetëm dy ndeshje deri në mbyllje të edicionit, Gjilani e sheh veten vetëm dy pikë larg Llapit, i cili mban pozitën e tetë që dërgon në barazh.
Kjo distance e ngushtë pikësh dhe mungesa e fitoreve në javët e fundit e vendosin skuadrën nën një presion të jashtëzakonshëm, ku çdo gabim në dy hapat e fundit mund t’i kushtojë me rënie në play-out dhe të rrezikojë seriozisht mbetjen në elitën e futbollit kosovar.

