KULTURE / “Unë, ku jam?!”, Ukshin Hoti në vargjet e Shefik Surdullit: Një thirrje kundër harresës

Në 27-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit dhe intelektualit të shquar, Ukshin Hoti, poeti Shefik Surdulli vjen me një krijim prekës që sfidon harresën dhe krimin e heshtjes.

Përmes një stili të ngjeshur dhe me peshë historike, Surdulli e rreshton Hotin krah figurave si Gjergj Kastrioti, Fishta e Bogdani, duke treguar se përndjekja e mendjeve të ndritura shqiptare ka qenë një vargmal i vazhdueshëm vuajtjesh

Poezia nuk është thjesht një elegji, por një denoncim poetik; pyetja rrëqethëse në mbyllje, “Unë, ku jam?!”, nuk kërkon vetëm një vendndodhje fizike, por kërkon llogari nga historia dhe ndërgjegjja jonë kolektive.

Përmes këtij shkrimi, Surdulli arrin të shndërrojë mungesën dramatike të profesorit në një prani të përhershme, duke na kujtuar se filozofia dhe ideali i Ukshin Hotit mbeten të pashlyeshme, pavarësisht përpjekjeve për të zhdukur gjurmët e tij.

SHEFIK SURDULLI

I vetëm nuk jam

që t’më qani.

As Gjergj Kastriotit

varr nuk i lanë,

Eshtrat

ia grabitën sulltanët

Ali Pashë Janinën

në dysh e ndanë.

Fishtën,

E hodhën në lum.

Bogdanin,

të prehet në varr

nuk e lanë.

Po me mua ç’bënë

– Unë, ku jam ?!

 

Shpërndaj me të tjerët