Karateisti shqiptar i lindur dhe rritur në Australi, kampion i këtij shteti dhe përfaqësues i tij në arenën ndërkombëtare, si dhe renditësi numër një në ranglistën e WKF-së, Dardan Jahiu, ka vendosur të lërë Australinë për të vazhduar karrierën e tij në Kosovë.
Dardani do të bashkohet me Klubin e Karatesë “AS” nga Gjilani dhe që nga kjo periudhë e tutje do të mbrojë ngjyrat e Kosovës në kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Ai do të vazhdojë përgatitjet intensive për pjesëmarrje në Kampionatin e Kosovës dhe në garat e tjera që pritet të rifillojnë gjatë muajit shtator, ku për herë të parë do të garojë zyrtarisht nën flamurin e Kosovës.
Mjaft i gëzuar për këtë hap të rëndësishëm është shprehur Alban Beqiri, trajner i KK “AS” dhe një nga kontribuuesit kryesorë për realizimin e këtij kalimi të Dardanit.
