Ajo që po zbulohet në nëntokën e qytetit tonë është sa e çuditshme, aq edhe tronditëse. Në një rrëfim për portalin dita24h.com, punëtorët e dalluar të “Hidromoravës”, Bajram Rasimi, Afrim Haliti dhe Murat Syla, por edhe të tjerë kanë treguar pamjet e rënda me të cilat ballafaqohen çdo ditë, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi nga ana e qytetarëve.
Në vend të mbeturinave të zakonshme, ata po nxjerrin nga pusetat gjëra që tregojnë një mungesë totale të vetëdijesimit.
Lista e “çudirave” që bllokojnë rrjetin tejkalon çdo kufi: drunj, dërrasa dhe shkopinj druri, mbetje metali, tulla dhe pjesë betoni, goma automjetesh, jorganë e jastëkë e tjera.
“Nuk mund ta besojmë as vetë se çfarë gjejmë brenda gypave. Kjo papërgjegjësi na vështirëson punën dhe rrezikon funksionimin e të gjithë qytetit,” thonë ata njëzëri, duke dokumentuar këto fakte si dëshmi të një situate që kërkon reagim urgjent qytetar.
Thirrje për përgjegjësi dhe vetëdijesim
Derisa shumica e qytetarëve shijojnë komoditetin e shtëpive, këta heronj të heshtur zbresin në terren për të pastruar pasojat e veprimeve të papërgjegjshme.
Për dita24h.com, ata theksojnë se ruajtja e mjedisit dhe e rrjetit të kanalizimit fillon te vetëdijesimi i secilit prej nesh.
Hedhja e mbeturinave të ngurta në gypa nuk është thjesht një gabim, por një dëm i madh që i bëhet të gjithë komunitetit.
Apeli: “Qyteti ruhet me kulturë dhe kujdes”
Punëtorët e terrenit lëshojnë një apel të drejtpërdrejtë:
“Gypat dhe pusetat janë të parapara vetëm për ujërat e zeza, jo për t’u shndërruar në deponi mbeturinash. Kërkojmë nga qytetarët më shumë përgjegjësi. Vetëdijesimi juaj na ndihmon ne, por mbi të gjitha e mban qytetin të pastër dhe funksional.”
Puna e Bajramit, Afrimit dhe Muratit është sa fisnike aq edhe e rëndë. Ata mbeten çdo ditë në terren si gardianë të mjedisit, me shpresën se ky rrëfim do të shërbejë si një kthesë për më shumë kulturë qytetare në Gjilan.
Respekt për duart e vyera e të ndershme të punëtorëve të “Hidromoravës” që po mbajnë pastër qytetin tonë!
Shënim:
Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.
Mund të shpërndahet vetëm si link.
Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!
Botuesi dhe redaktori:
/F.S./

