Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur bilancin e kontrolleve të shtuara gjatë muajit prill, të fokusuara te drejtuesit e motoçikletave, skuterëve dhe trotineteve. Ky plan operativ ka pasur për qëllim rritjen e sigurisë në trafikun rrugor në të gjithë zonën e përgjegjësisë së këtij rajoni.
Sipas të dhënave të policisë, nga data 1 deri më 30 prill 2026, shifrat tregojnë për një numër të lartë shkeljesh: 161 motoçikleta janë përjashtuar nga trafiku (konfiskuar); 149 gjoba janë shqiptuar për mjete pa regjistrim; 95 gjoba për drejtim të mjetit pa patentë shoferi; 75 gjoba për drejtuesit e trotineteve; 65 gjoba për mosmbajtje të helmetës gjatë vozitjes; 113 gjoba për shkelje të tjera konform ligjit për rregullat e trafikut.
Policia e Gjilanit ka rikujtuar qytetarët se respektimi i normave ligjore dhe pajisja me dokumentacion valid është jetike për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
“Drejtimi i motoçikletave dhe mjeteve me dy e me shumë rrota sipas rregullave në fuqi, nënkupton shpëtimin e jetës për vete dhe të tjerët,” thuhet në thirrjen e Policisë Rajonale, e cila apelon për kujdes të shtuar në rrugë.

