Drejtoria për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shlyejnë obligimet e tyre për tatimin në pronë brenda afateve ligjore.
Drejtori i këtij dikasteri, Avdyl Kastrati, theksoi se këto pagesa kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e projekteve zhvillimore dhe shërbimeve publike në qytet.
Për shkak të vonesave në lëshimin e faturave fizike për vitin 2026, Komuna njofton se qytetarët mund t’i nxjerrin faturat e tyre online përmes platformës e-Kosova ose personalisht në sportelet e komunës.
Afatet e pagesës për vitin 2026:
Për personat fizikë rezidentë, pagesa mund të bëhet në dy këste:
- Kësti i parë: deri më 30 qershor 2026;
- Kësti i dytë: deri më 30 shtator 2026.
Për personat jo-rezidentë, tatimi duhet të paguhet në një këst të vetëm, më së largu deri më 30 shtator 2026.
Gjobat dhe masat ndëshkuese:
Mosrespektimi i këtyre afateve sjell kosto shtesë për qytetarët:
- Gjobë prej 10% mbi shumën e secilit këst të papaguar;
- Interes mujor prej 0.65% për çdo muaj vonesë.
Drejtori Kastrati bëri të ditur se Komuna do të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë edhe procedurat përmbarimore, veçanërisht ndaj atyre që kanë borxhe mbi vlerën 300.00 €.
Ku mund të bëhet pagesa?
Qytetarët mund t’i kryejnë pagesat në disa forma:
- Përmes platformës e-Kosova;
- Në bankat e licencuara dhe përmes E-Banking;
- Në pikat e Postës së Kosovës;
- Në sportelet e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunë.
“Lusim qytetarët që të kryejnë obligimet me kohë për të shmangur kostot shtesë dhe procedurat e mbledhjes së detyrueshme”, ka përfunduar drejtori Kastrati.
