FINANCA / Kastrati thirrje qytetarëve, paguani tatimin në pronë, shmangni gjobat

Drejtoria për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shlyejnë obligimet e tyre për tatimin në pronë brenda afateve ligjore.

Drejtori i këtij dikasteri, Avdyl Kastrati, theksoi se këto pagesa kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e projekteve zhvillimore dhe shërbimeve publike në qytet.

Për shkak të vonesave në lëshimin e faturave fizike për vitin 2026, Komuna njofton se qytetarët mund t’i nxjerrin faturat e tyre online përmes platformës e-Kosova ose personalisht në sportelet e komunës.

Afatet e pagesës për vitin 2026:

Për personat fizikë rezidentë, pagesa mund të bëhet në dy këste:

  • Kësti i parë: deri më 30 qershor 2026;
  • Kësti i dytë: deri më 30 shtator 2026.

Për personat jo-rezidentë, tatimi duhet të paguhet në një këst të vetëm, më së largu deri më 30 shtator 2026.

Gjobat dhe masat ndëshkuese:

Mosrespektimi i këtyre afateve sjell kosto shtesë për qytetarët:

  • Gjobë prej 10% mbi shumën e secilit këst të papaguar;
  • Interes mujor prej 0.65% për çdo muaj vonesë.

Drejtori Kastrati bëri të ditur se Komuna do të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë edhe procedurat përmbarimore, veçanërisht ndaj atyre që kanë borxhe mbi vlerën 300.00 €.

Ku mund të bëhet pagesa?

Qytetarët mund t’i kryejnë pagesat në disa forma:

  1. Përmes platformës e-Kosova;
  2. Në bankat e licencuara dhe përmes E-Banking;
  3. Në pikat e Postës së Kosovës;
  4. Në sportelet e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunë.

“Lusim qytetarët që të kryejnë obligimet me kohë për të shmangur kostot shtesë dhe procedurat e mbledhjes së detyrueshme”, ka përfunduar drejtori Kastrati.

 

Shpërndaj me të tjerët