SPORT/ Ramadani: Na pret derbi i vështirë, por jemi gati ta menaxhojmë presionin

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka deklaruar se skuadrën e pret një derbi i vështirë ndaj Ballkanit, për shkak të rivalitetit, historisë dhe objektivit për titull.

Sipas tij, Drita ka cilësi dhe kapacitet për ta përballuar sfidën, duke theksuar se këtë edicion skuadra ende nuk e ka mposhtur Ballkanin, por megjithatë gjendet para tij në tabelë.

“Na pret derbi për shkak të titullit dhe historisë. Do të jetë shumë e vështirë. Kemi cilësi dhe kapacitet. Sivjet ende nuk e kemi mposhtur Ballkanin, por ja që jemi pikë para tyre. Grupi është kompletuar, janë kthyer të gjithë të lënduarit dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj jave”, ka thënë Ramadani.

Ai shtoi se presioni është mbi ekipin e tij, por beson se skuadra ka përvojën dhe karakterin e duhur për ta menaxhuar atë.

“Presioni është te ne, por do të mundohemi ta menaxhojmë. Pesha e ndeshjes dhe karakteri i ekipit janë shumë të rëndësishme. Përvoja jonë është se si duhet t’i qasemi ndeshjeve të tilla dhe si ta menaxhojmë situatën. Me rëndësi është të luftojmë dhe ta arrijmë objektivin”, u shpreh trajneri i Dritës.

Shpërndaj me të tjerët