OPINION/ Taksat e qytetarëve po treten në asfalt pa standard

Nga Ardian Azemi

Një nga temat për të cilat sot duhet të ngremë zërin më fort dhe të shqetësohemi seriozisht, është keqpërdorimi brutal i taksave të qytetarëve në infrastrukturën rrugore.

Si është e mundur që rruga Gjilan–Ferizaj ndërtohet nga e para dhe brenda pak muajve degradohet sikur të ishte ndërtuar para 200 vitesh?

Si është e mundur që rrugët asfaltrohen, ndërsa pas disa muajve prihen përsëri për gypa uji, kanalizime apo kabllo?

Kush po mban përgjegjësi për këtë kaos? Askush.

Sepse në këtë vend po normalizohet shpërdorimi i parasë publike.

Një shtet serioz fillimisht e kryen komplet infrastrukturën nëntokësore, ujësjellësin, kanalizimin, energjinë, telekomunikimin dhe vetëm pastaj ndërton rrugë që zgjasin.

Kjo është logjikë elementare e administrimit. Çdo gjë tjetër është ose paaftësi, ose vjedhje e organizuar me paratë e qytetarëve.

Një gjë është e sigurt, dëmin nuk e paguan ministri, as drejtori, as kompania.

Dëmin e paguan qytetari. E paguan me vetura të shkatërruara në gropa. E paguan biznesi që humb klientë nga rrugët e bllokuara.

E paguan familja që jeton mes pluhurit, baltës dhe kaosit për vite të tëra.

Kjo formë e qeverisjes e ka shndërruar asfaltin në mjet propagande dhe tenderin në instrument përfitimi.

Rrugët nuk ndërtohen për qytetarët, por për fotografi, për shirita inaugurues dhe për interesa klienteliste.

Prandaj shumë prej tyre nisin të shkatërrohen pa u harruar ende dita e inaugurimit.

Kushdo që nuk ka qenë në Gjilan vitet e fundit, le të vijë dhe ta shohë vetë.

Një qytet i lënë në rrëmujë infrastrukturore, ku punohet pa plan, pa standard dhe pa përgjegjësi.

Gjilani nuk e meriton këtë poshtërim. Nuk e meriton Kosova.

Nuk e meritojnë qytetarët që mbushin buxhetin e shtetit nga djersa dhe varfëria e tyre, për ta parë pastaj atë buxhet duke u tretur në asfalt që çahet më shpejt se premtimet elektorale.

Shpërndaj me të tjerët