SPORT / Humbja ndaj Llapit, Gjilanit mund t’i kushtojë shtrenjtë në fund të kampionatit

Gjilani po kalon nëpër një periudhë tejet të vështirë që mund t’i kushtojë shtrenjtë në fund të kampionatit.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 34-të, skuadra kuqebardhë pësoi një humbje të dhimbshme në shtëpi me rezultatin 1:2 përballë Llapit, një kundërshtar direkt që po lufton për t’i shpëtuar zonës së rrezikshme.

Ndeshja nisi keq për vendasit, pasi Aianit Hasani u tregua i pamëshirshëm duke realizuar dy herë brenda pjesës së parë, konkretisht në minutat 7 dhe 26, për t’i dhënë ekipit llapjan një avantazh të rëndësishëm.

Ndonëse kapiteni Armend Thaqi në minutën e 15, rizgjoi shpresat e gjilanasve me një eurogol të shënuar nga gjuajtja e lirë, ky realizim mbeti vetëm për vlerë estetike, pasi Gjilani nuk arriti të përmbyste rezultatin deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.

Kjo disfatë e zhyt ekipin në një krizë të thellë rezultatesh, pasi kjo ishte xhiroja e shtatë radhazi që ata nuk arrijnë të arkëtojnë pikët e plota.

Për më tepër, fitorja e fundit e Gjilanit daton që nga java e 17-të kundër Prishtinës së Re, një statistikë që tregon qartë rënien drastike të formës.

Tashmë, kur kanë mbetur edhe vetëm dy ndeshje deri në mbyllje të edicionit, Gjilani e sheh veten vetëm dy pikë larg Llapit, i cili mban pozitën e tetë që dërgon në barazh.

Kjo distance e  ngushtë pikësh dhe mungesa e fitoreve në javët e fundit e vendosin skuadrën nën një presion të jashtëzakonshëm, ku çdo gabim në dy hapat e fundit mund t’i kushtojë me rënie në play-out dhe të rrezikojë seriozisht mbetjen në elitën e futbollit kosovar.

 

Shpërndaj me të tjerët