FINANCA / Gjilani prezanton raportin e parë financiar për vitin 2026

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, ka prezantuar para anëtarëve të Kuvendit Komunal raportin financiar për periudhën janar–mars 2026.

Sipas raportit, realizimi i përgjithshëm i buxhetit për këtë tremujor ka arritur në 22.2%.

Në pasqyrën e shpenzimeve sipas kategorive, realizimi paraqitet si vijon: pagat dhe mëditjet: 32.42%,  shpenzimet komunale: 21.67%,  mallrat dhe shërbimet: 15.58%, subvencionet dhe transfertet: 11.11% dhe investimet kapitale: 0%

Lidhur me mungesën e shpenzimeve në kategorinë e investimeve kapitale, drejtori Kastrati sqaroi se kjo vjen si pasojë e procedurave përgatitore dhe atyre të prokurimit.

Ai bëri të ditur se realizimi i projekteve kapitale pritet të nisë vrullshëm nga tremujori i dytë (TM2).

“Mungesa e realizimit në TM1 nuk përfaqëson mungesë aktiviteti, por është rezultat i fazave përgatitore. Megjithatë, mbetet e domosdoshme që të gjitha drejtoritë të përshpejtojnë proceset për të shmangur grumbullimin e shpenzimeve në fund të vitit,” ka thënë Kastrati.

Gjithashtu, u njoftua se bartja e mjeteve nga vitet paraprake nuk është përfshirë në këtë raport, pasi do të trajtohet si pikë e veçantë e rendit të ditës në mbledhjen e Kuvendit, me arsyetimet përkatëse ligjore dhe financiare.

 

Shpërndaj me të tjerët