ARSIM / UKZ mirëpret ekipin e AKA-së për riakreditimin e programit Shkenca Kompjuterike

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mirëpritur ekipin e ekspertëve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), në kuadër të procesit të riakreditimit të programit Bachelor në Shkenca Kompjuterike.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë zhvilluan takime të ndara me menaxhmentin e fakultetit, stafin akademik e administrativ, studentët, të diplomuarit, si dhe me përfaqësues të tregut të punës.

Po ashtu, komisioni vizitoi nga afër laboratorët dhe hapësirat mësimore për të vlerësuar infrastrukturën ekzistuese.

Procesi i vlerësimit u koordinua nga Shkelzen Gërxhaliu, Drejtor i Departamentit për Monitorim në AKA, ndërsa ekipi i ekspertëve përbëhej nga Maurizio Ferrari Dacrema (me pjesëmarrje fizike), si dhe Emmanouil Panaousis e Issabek Muratov, të cilët u kyçën përmes lidhjes online.

Ky vlerësim dypalësh synon të garantojë përmbushjen e kritereve të nevojshme për vazhdimësinë e këtij programi jetik për arsimin e lartë në rajonin e Anamoravës.

Dekanja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Asoc. Dr. Afërdita Ibrahimi, vlerësoi lart rëndësinë e këtij procesi për avancimin e cilësisë akademike.

Ajo theksoi se fakulteti mbetet tërësisht i përkushtuar në ofrimin e një programi bashkëkohor, të harmonizuar plotësisht me kërkesat e industrisë së teknologjisë informative dhe standardet ndërkombëtare, duke premtuar investime të rregullta në mësimdhënie dhe kërkime shkencore.

 

Shpërndaj me të tjerët