Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, ka prezantuar para anëtarëve të Kuvendit Komunal raportin financiar për periudhën janar–mars 2026.
Sipas raportit, realizimi i përgjithshëm i buxhetit për këtë tremujor ka arritur në 22.2%.
Në pasqyrën e shpenzimeve sipas kategorive, realizimi paraqitet si vijon: pagat dhe mëditjet: 32.42%, shpenzimet komunale: 21.67%, mallrat dhe shërbimet: 15.58%, subvencionet dhe transfertet: 11.11% dhe investimet kapitale: 0%
Lidhur me mungesën e shpenzimeve në kategorinë e investimeve kapitale, drejtori Kastrati sqaroi se kjo vjen si pasojë e procedurave përgatitore dhe atyre të prokurimit.
Ai bëri të ditur se realizimi i projekteve kapitale pritet të nisë vrullshëm nga tremujori i dytë (TM2).
“Mungesa e realizimit në TM1 nuk përfaqëson mungesë aktiviteti, por është rezultat i fazave përgatitore. Megjithatë, mbetet e domosdoshme që të gjitha drejtoritë të përshpejtojnë proceset për të shmangur grumbullimin e shpenzimeve në fund të vitit,” ka thënë Kastrati.
Gjithashtu, u njoftua se bartja e mjeteve nga vitet paraprake nuk është përfshirë në këtë raport, pasi do të trajtohet si pikë e veçantë e rendit të ditës në mbledhjen e Kuvendit, me arsyetimet përkatëse ligjore dhe financiare.

