Gjykata Supreme e Kosovës ka vazhduar ciklin e punëtorive të saj profesionale, ku sot vëmendja ka qenë e përqendruar te gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Gjilan, të cilët së bashku me kolegët e tyre nga Ferizaj, kanë trajtuar sfidat e vendimmarrjes gjyqësore.
Kjo punëtori e rëndësishme po zhvillohet nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, dhe po mbështetet nga misioni i OSBE-së.
Në fokus të diskutimeve për trupën gjykuese nga Gjilani janë trajtimi i çështjeve emergjente nga praktika e përditshme, harmonizimi i vendimeve dhe unifikimi i politikës ndëshkimore në raste të ngjashme.
Për të siguruar një analizë sa më të hollësishme dhe profesionale, gjyqtarët gjilanas janë ndarë në dy grupe të veçanta: ai i lëmisë civile dhe i lëmisë penale.
Kryetari Rexhepi, së bashku me ekipin e gjyqtarëve të Supremes, ka bashkëbiseduar gjerësisht me kolegët nga Gjilani për problemet procedurale me të cilat përballen çdo ditë në rajonin e Anamoravës.
Gjatë takimit u vu theksi i veçantë te rëndësia që gjyqtarët e Gjilanit të zbatojnë me përpikëri mendimet juridike dhe udhëzuesit e Gjykatës Supreme, si një mjet i domosdoshëm për të garantuar një vendimmarrje të drejtë, të njëtrajtshme dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
Nga ana e tij, kreu i Gjykatës Supreme u ka ofruar mbështetje të plotë dhe të paanshme gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Gjilan në adresimin e të gjitha nyjave profesionale dhe juridike.
Ai ka kërkuar një koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm e të ngushtë me institucionin që ai drejton, posaçërisht gjatë trajtimit të lëndëve specifike dhe diskutabile
gjyqësore që kërkojnë linjë të përbashkët veprimi në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
