ARSIM / Binjakët nga Gjilani,  Ani dhe Eni Kosumi fitojnë vendet e para në garën mbarëshqiptare të matematikës

Komuna e Gjilanit ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën mbarëshqiptare të arsimit, falë talentit të rrallë të dy nxënësve binjakë, Ani dhe Eni Kosumi.

Në garën prestigjioze të matematikës “Fest Matematika 7”, të mbajtur në qytetin e Durrësit, dy gjilanasit kanë shkëlqyer duke rrëmbyer vendin e parë dhe të dytë.

Ani dhe Eni, të cilët janë nxënës të klasës së shtatë në Shkollën e Mesme të Ultë “Rexhep Elmazi” në Gjilan, u shpallën më të mirët në këtë garë ku konkurruan me mendjet më të ndritura nga të gjitha trevat shqiptare.

Kjo olimpiadë e rëndësishme bashkon çdo vit talentet më të mëdha të matematikës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, duke shërbyer si një urë bashkëpunimi dhe rivaliteti të shëndoshë akademik.

Ajo që e bën triumfin e binjakëve nga Gjilani edhe më mbresëlënës është fakti se kurrikula e kësaj gare, e krahasuar me sistemin arsimor të Kosovës, përkon me nivelin e klasës së tetë.

Ky rezultat elitë dëshmon përkushtimin e madh të nxënësve dhe vërteton se kur talenti i ri identifikohet dhe mbështetet si duhet, suksesi në nivel kombëtar është i garantuar.

 

Shpërndaj me të tjerët