Sot, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, duke filluar nga ora 16:00, do të zhvillohet derbi i madh lokal ndërmjet Dritës dhe Gjilanit.
Ndonëse ky ballafaqim mbetet ngjarja kryesore sportive në rajon, këtë herë situata tabelare i vendos skuadrat në pozicione krejtësisht të ndryshme.
Drita e Gjilanit tashmë e ka siguruar matematikisht titullin kampion dhe çfarëdo rezultati nga kjo ndeshje nuk luan asnjë rol në pozicionin e saj të palëkundur në majën e futbollit kosovar.
Në krahun tjetër, për skuadrën e Gjilanit kjo sfidë është jetike; një fitore eventuale do t’i largonte përfundimisht ata nga rreziku i zonës së barazhit, ndërsa edhe një barazim do të konsiderohej rezultat pozitiv, pasi humbja do t’i ndërlikonte seriozisht gjërat për ta në javët e mbetura.
Pavarësisht rrethanave, derbi lokal asnjëherë nuk mund të prognozohet me saktësi absolute.
Njohësit vlerësojnë se Gjilani duhet të hyjë në fushë me më shumë ambicie dhe përkushtim, duke tentuar të shfrytëzojë rënien e mundshme të motivimit te bardhekaltrit, të cilët vijnë me petkun e kampionit. Përmes një loje racionale dhe efikase, kuqebardhët do të kërkojnë pikët e shpëtimit.
Megjithatë, nga taborri i Dritës kanë paralajmëruar se nuk do të ketë kalkulime; drejtuesit e klubit janë shprehur se ndeshja do të vlerësohet me seriozitetin maksimal, duke luajtur për prestigj, për tifozët dhe për statistikat e tyre rekord.
Aktualisht, Drita udhëheq kampionatin në vendin e parë me 66 pikë, ndërsa Gjilani renditet në pozicionin e gjashtë me 46 pikë, me një diferencë prej 20 pikësh mes dy rivalëve të përjetshëm.

