ARSIM / Profesori gjilanas Xhevdet Thaqi hap punimet kryesore të workshop-it ndërkombëtar të matematikës në Tiranë

Ligjërata e profesorit nga Gjilani, prof. dr. Xhevdet Thaqi, nga Universiteti “Kadri Zeka”, ka qenë në qendër të seancës së parë plenare të workshop-it shkencor që u mbajt në Tiranë.

Profesori gjilanas ka trajtuar me profesionalizëm arsimin matematik të bazuar në kompetenca dhe vlerësimet ndërkombëtare PISA, duke sjellë një perspektivë të qartë mbi sfidat dhe mundësitë e sistemit tonë arsimor.

Ai nënvizoi se edukimi matematik është një shtyllë e fortë e platformës “EduMat”, e cila synon të forcojë kompetencat profesionale të mësuesve dhe të nxisë bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional.

Kjo veprimtari e rëndësishme shkencore, e mbajtur nën organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Institutit Kombëtar të Matematikës dhe Universitetit të Tiranës, synon promovimin e matematikës nëpërmjet qasjes moderne STEM dhe metodave inovative digjitale.

Ngjarja u hap nga prof. dr. Fatmir Hoxha dhe u përshëndet nga akademik Neki Frashëri e prof. asoc. Rudina Osmanaj, të cilët ngritën alarmin për nevojën e hartimit të rekomandimeve praktike në mësimdhënie dhe diskutuan mbi sfidat e inteligjencës artificiale në edukim.

Në këtë workshop morën pjesë edhe ligjërues të tjerë të njohur nga Norvegjia e Shqipëria, si Suela Kacerja, Lekë Pepkolaj, Elisabeta Peti, Frederik Dara, Ilir Palla, Vasil Lino dhe Denisa Xhuti, të cilët prezantuan qasjet bashkëkohore mbi modelimin matematik.

Gjatë sesioneve u shpalosën praktika të aplikueshme në klasë, si modelimi i qyteteve të qëndrueshme dhe gjeometria urbane, ndërsa punimet u mbyllën me thirrjen për krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet pedagogëve, mësuesve dhe studiuesve mbarëshqiptarë.

 

Shpërndaj me të tjerët