Shkolla e Mesme e Ultë “Rexhep Elmazi” në Gjilan ka organizuar një pritje dhe nderim zyrtar për dy nxënësit e klasës së shtatë, Ani Kosumi dhe Eni Kosumi, të cilët një javë më parë u shpallën kampionë të matematikës në nivel mbarëshqiptar.
Drejtuesit e institucionit arsimor bënë të ditur se ky nderim u bë me pak vonesë, pasi gjatë shënimit të Ditës së Shkollës, dy nxënësit ndodheshin në Shqipëri duke përfaqësuar denjësisht institucionin e tyre.
Ani dhe Eni paraprakisht kishin shkëlqyer në garat shtetërore të Kosovës, duke rrëmbyer vendin e parë dhe të dytë. Ky sukses u hapi rrugën për në garën tradicionale mbarëshqiptare të matematikës për klasat e shtata që organizohet çdo vit në Durrës.
Edhe në këtë garë të fortë, ku morën pjesë nxënës nga të gjitha trevat shqiptare, dy gjenitë e vegjël të SHMU “Rexhep Elmazi” treguan dominim të plotë duke u kthyer sërish në shtëpi me dy vendet e para.
Udhëheqësit e lartë të shkollës u shprehën jashtëzakonisht krenarë për përkushtimin dhe talentin e treguar nga nxënësit e tyre, duke theksuar se këto arritje janë një frymëzim i madh për të gjithë shkollën dhe dëshmi e një pune të palodhshme akademike që bëhet brenda këtij institucioni në Gjilan.
