Një shembull i shkëlqyer i vetëorganizimit qytetar dhe kujdesit ndaj mjedisit të përbashkët ka ardhur nga fshati Zhegër i Gjilanit.
Me vetiniciativë të Këshillit të Fshatit, është realizuar një aksion i suksesshëm për mirëmbajtjen dhe kositjen e barit përgjatë rrugës kryesore, pikërisht te Parku “Haxhi Neziri”.
Ky aksion dëshmon më së miri se me pak punë, vullnet dhe përkushtim kolektiv, mund të arrihet shumë për të mirën e përbashkët të komunitetit, duke mos pritur çdo herë vetëm ndërhyrjen e dorës institucionale.
Kryetari i Këshillit të Fshatit Zhegër, Qahil Halili, ka falënderuar të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij angazhimi, duke premtuar se aksione të tilla do të jenë të vazhdueshme.
“Do të vazhdojmë të kujdesemi për hapësirat që shfrytëzohen nga komuniteti, duke kontribuuar në një ambient më të pastër, më të rregullt dhe më të këndshëm për të gjithë”, ka porositur Halili.
Ky projekt lokal i zhegrasve shërben si një shembull model që duhet ndjekur edhe nga lagjet dhe fshatrat e tjerë të Anamoravës, për të kthyer vëmendjen dhe kujdesin e duhur ndaj hapësirave të gjelbra ku bëhet jetesa e përditshme.
