Sot mbushen plot 26 vjet nga organizimi i tubimit të madh manifestues për Fuqinë Planetare në Kosovë, i cili u mbajt në Gjilan në shenjë falënderimi për kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Kjo ngjarje e veçantë e periudhës së pasluftës shprehu mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Gjilanit dhe të mbarë Kosovës për mbështetjen vendimtare që Uashingtoni zyrtar i dha lirisë, çlirimit dhe shpëtimit të popullit tonë nga okupimi serb.
Dëshmi e miqësisë së përhershme shqiptaro-amerikane
Ai tubim madhështor mbetet një dëshmi e gjallë e lidhjes së fuqishme dhe të pathyeshme të popullit shqiptar me aleatin tonë më të madh strategjik.
Në kujtesën e mijëra pjesëmarrësve, ai manifestim i mbajtur saktësisht 26 vjet më parë konsiderohet si një demonstrim i pastër respekti, nderimi dhe besimi të palëkundur në aleancën e përhershme me SHBA-në – simbolin e lirisë, demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.
Kujtesa historike për atë ditë mbetet e skalitur në analet e historisë së Gjilanit liridashës dhe të Kosovës sovrane, si një moment që vulosi rrugëtimin tonë të pakthyeshëm larg Serbisë pushtuese.
“Lavdi gjakut të derdhur për liri! Rroftë miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Rroftë populli shqiptar!”, u shpreh me këtë rast Ismet Sylejmani, ish-Kryetar i Këshillit Organizativ të tubimit “Fuqia Planetare në Kosovë”.
