Arsimi gjilanas ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritjes profesionale.
Një delegacion arsimor nga komuna e Gjilanit, i përbërë nga pesë mësimdhënës, një psikologe dhe një zëvendësdrejtor, ka qëndruar për më shumë se një javë në Zvicër për të parë nga afër mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollat helvetike.
Ky shkëmbim u realizua në kuadër të projektit ndërkombëtar të lëvizshmërisë “Javët e Studimit Zvicër–Kosovë”.
Ky projekt organizohet nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Zug-ut (PH Zug) në Zvicër, dhe ka për qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale, praktikave më të mira dhe forcimin e urave arsimore mes dy vendeve.
Modelet bashkëkohore dhe vizitat nëpër shkolla speciale
Njëra nga pjesëmarrëset në këtë udhëtim studimor, Donjeta Lenjani, psikologe në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (SHFMU) “Rexhep Elmazi” në Gjilan, ka ndarë përshtypjet dhe rëndësinë e kësaj vizite.
Ajo bëri të ditur se delegacioni pati një agjendë të ngjeshur dhe mjaft produktive, duke vizituar shkolla fillore, institucione universitare si dhe shkolla speciale që merren me edukimin e fëmijëve me pengesa në zhvillim.
“Gjatë vizitave patëm mundësinë të njihemi nga afër me modele bashkëkohore të edukimit, përfshirjes dhe mbështetjes së fëmijëve, si dhe praktikat inovative që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit”, ka thënë psikologia Lenjani.
Sipas saj, ky projekt nxit zhvillimin profesional, shkëmbimin kulturor dhe ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet institucioneve arsimore të Kosovës dhe Zvicrës.
Mbështetje nga agjencia zvicerane “Movetia”
Ky projekt i rëndësishëm i mobilitetit, përveç bashkëpunimit të shkëlqyer me Universitetin “Kadri Zeka”, ka gjetur edhe një mbështetje të fuqishme financiare nga organizata e njohur zvicerane “Movetia”.
Movetia është një institucion që promovon shkëmbimin, mobilitetin dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit, trajnimin profesional dhe punën me të rinjtë jo vetëm në Zvicër e Evropë, por në mbarë botën.
Përfitimi i kësaj mbështetjeje tregon për seriozitetin e projektit dhe vlerën që ai sjell në përgatitjen e kuadrave tona arsimore sipas metodologjive më moderne të mësimdhënies.
