Përmes një kujtimi prekës dhe plot krenari, Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Driton Rexhepi (i njohur gjatë luftës si Gjoni), ka përkujtuar shokun e tij të fëmijërisë dhe bashkëluftëtarin e pandashëm, dëshmorin e kombit Xhelal Sopi.
Kolonel Rexhepi ka evokuar kujtime nga periudhat më të rëndësishme të jetës së tyre, duke filluar nga lojërat e fëmijërisë e deri te rreshtimi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndonëse rrugët e luftës i ndanë në zona të ndryshme operative, ku përderisa Xhelali ishte rreshtuar në Pashtrik, shoku i tij Dritoni ishte rreshtuar në Llap e Karadak, idealit të përbashkët për liri nuk i ndanë asnjëherë.
Ai e ka cilësuar dëshmorin Sopi si një njeri me karakter të çeliktë, të ndershëm dhe me një trimëri të rrallë.
“U rreshtua ndër bijtë më të mirë në Pashtrik”
Xhelal Sopi ra heroikisht në njërën nga përplasjet më të lavdishme dhe më të përgjakshme të luftës çlirimtare, në Betejën e Pashtrikut, duke u bërë pjesë e historisë së ndritur të lirisë së Kosovës.
“Xhelali ishte njeri me zemër të madhe, i ndershëm, trim dhe gjithmonë i gatshëm t’u dilte në ndihmë të tjerëve. Në Betejën e Pashtrikut, ai u rreshtua ndër bijtë më të mirë të Kosovës, duke dhënë jetën për lirinë dhe dinjitetin e popullit të tij. Sakrifica e tij mbetet një testament i përhershëm i dashurisë për atdheun”, ka thënë mes tjerash Kolonel Driton Rexhepi.
Në përmbyllje të këtij përkujtimi, koloneli ka theksuar se emri dhe vepra e Xhelal Sopit do të kujtohen gjithmonë me nder dhe mirënjohje të thellë nga familjarët, bashkëluftëtarët e nga mbarë populli shqiptar, si një shembull i pastër i sakrificës sublime për liri.
Lavdi e përjetshme dëshmorit Xhelal Sopi dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

