Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, është mirëpritur në një takim zyrtar nga drejtori i Kryqit të Kuq të Kosovës – Dega në Gjilan, Ilmi Shala, me synim koordinimin sa më efikas të strukturave lokale në shërbim të komunitetit.
Fokus kryesor i diskutimit mes dy krerëve institucionalë ishte forcimin i bashkëpunimit dypalësh, duke vënë theksin te koordinimi i aktiviteteve humanitare, menaxhimi i suksesshëm i situatave emergjente, si dhe ngritja e kapaciteteve reaguese në terren.
Të dyja palët rikonfirmuan se mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe rritja e mirëqenies së tyre mbeten prioritete absolute.
Përmes këtij koordinimi, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Kryqi i Kuq synojnë që në rastet e nevojave emergjente apo krizave të ndryshme, reagimi institucional të jetë sa më i shpejtë dhe i organizuar.
“Bashkëpunimi institucional dhe angazhimi i përbashkët në mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve mbeten prioritete të rëndësishme për të dyja palët, me synimin e ofrimit të shërbimeve sa më efikase për komunitetin”, u potencua gjatë takimit.
Ky takim u vlerësua si një hap mjaft i rëndësishëm drejt thellimit të raporteve dhe do t’i hapë rrugë realizimit të projekteve të përbashkëta trajnuese dhe humanitare në të ardhmen e afërt.

