Familja e këngëtarit të njohur Sinan Vllasaliu ka shprehur mirënjohje të thellë për stafin mjekësor të Emergjencës së Gjilanit, Emergjencës së Prishtinës dhe Royal Hospital në Prishtinë, pas aksidentit të rëndë që pësoi artisti dhe ndërhyrjes kirurgjikale që pasoi.
Në një mesazh falënderimi, familja thekson se përkushtimi, profesionalizmi dhe humanizmi i mjekëve dhe infermierëve u dhanë forcë dhe shpresë në momentet më të vështira.
“Me zemër plot mirënjohje, dua të shpreh falënderimin tim më të sinqertë për gjithë stafin mjekësor të Emergjencës së Gjilanit, Emergjencës së Prishtinës dhe Royal Hospital në Prishtinë, të cilët u kujdesën me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm për babin tim pas një aksidenti të rëndë që përfundoi me operacion”, thuhet në mesazh.
Familja bën të ditur se për shkak të aksidentit, Sinan Vllasaliu nuk arriti të marrë pjesë në dasmën e këngëtares Dua Lipa, ku ishte i ftuar të performonte.
Megjithatë, ata shprehen të lumtur që këngëtari është jashtë rrezikut dhe po vazhdon procesin e rikuperimit.
“Faleminderit pafund secilit mjek, infermier dhe çdo anëtari të stafit për kujdesin, durimin dhe zemrën që treguat. Mirësia juaj nuk harrohet”, përfundon mesazhi i familjes.

