Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot një delegacion biznesi nga India, në kuadër të një takimi bilateral dhe sesioni B2B me bizneset lokale.
Sipas Hysenit, bashkë me deputeten Liza Gashi dhe drejtorin për Zhvillim Ekonomik, Haki Huruglica, mysafirët janë njoftuar me potencialin ekonomik të Komunës së Gjilanit, mundësitë për bashkëpunim dhe investimet që po zhvillohen në qytet.
Takimi shërbeu si platformë për prezantimin e Gjilanit si një komunë me perspektivë për investime, duke synuar forcimin e lidhjeve me partnerë ndërkombëtarë dhe krijimin e mundësive konkrete të bashkëpunimit ndërmjet delegacionit indian dhe bizneseve vendore.
Kryetari Hyseni ka falënderuar delegacionin për vizitën dhe interesimin e treguar, si dhe bizneset gjilanase për pjesëmarrjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim.
“Gjilani po hapet gjithnjë e më shumë ndaj partneriteteve ndërkombëtare, investimeve dhe mundësive të reja për zhvillim ekonomik”, ka theksuar ai.

