INFRASTRUKTURA/ Vizitohet ura në hyrje të fshatit Llashticë, banorët presin nisjen e punimeve nga komuna

Banorët e fshatit Llashticë shpresojnë se organet komunale shumë shpejt do ta marrin në konsideratë gjendjen aktuale të urës së këtij fshati dhe do të nisin përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e urës së re.

Shpresa e tyre është shtuar pas një vizite që zyrtarët e Komunës së Gjilanit kanë zhvilluar në terren për të parë nga afër gjendjen e kësaj pike të rëndësishme infrastrukturore për fshatin.

Përmes një reagimi, vetë banorët e Llashticës kanë njoftuar për këtë vizitë dhe kanë shprehur optimizmin e tyre për realizimin e shpejtë të projektit.

“Sot zyrtarët komunalë ishin për vizitë te ura në hyrje të fshatit. Shpresojmë që shumë shpejt të fillojnë punimet për rregullimin dhe përmirësimin e saj. Falënderojmë institucionet për interesimin dhe presim realizimin e këtij projekti në të mirë të banorëve dhe vizitorëve të fshatit”, kanë thënë banorët e këtij fshati.

Kjo urë konsiderohet tejet e rëndësishme për qarkullimin e përditshëm të automjeteve dhe këmbësorëve, andaj një ndërhyrje nga autoritetet lokale do të rriste sigurinë në komunikacion dhe do të lehtësonte lëvizjen për të gjithë banorët dhe vizitorët e zonës.

 

 

Shpërndaj me të tjerët