Java e ardhshme në Kosovë pritet të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm, me temperatura të këndshme dhe vlera afër mesatares së zakonshme për muajin qershor.
Dita e martë pritet të sjellë ndryshim të përkohshëm të motit, pasi gjatë orëve të pasdites vende-vende mund të ketë reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.
Ditët e tjera do të dominohen nga moti me diell dhe vranësira të pakta.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 30 gradë Celsius në fund të javës.
Sipas parashikimeve, kushtet agrometeorologjike mbeten të favorshme për kulturat bujqësore, ndërsa reshjet lokale do të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë në tokë.
Cilësia e ajrit pritet të jetë kryesisht e mirë, ndërsa indeksi UV do të jetë i lartë, sidomos nga ora 10:00 deri në 16:00, ndaj rekomandohet mbrojtje nga ekspozimi i gjatë në diell dhe konsum i mjaftueshëm i ujit.

