TRADITA VAZHDON / Gjilani organizon turneun e madh ndërkombëtar të xhudos, por ndeshjet luhen në Kamenicë! Pse?

Të dielën, më 21 qershor, do të mbahet turneu i tretë me radhë ndërkombëtar në xhudo, i cili organizohet për nder të Ditës së Çlirimit të Gjilanit. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e Klubit të Xhudos (KXH) “Gjilani”.

Për shkak se palestra sportive në Gjilan është në renovim të plotë e sipër, organizatorët kanë njoftuar se në pamundësi për ta zhvilluar garën në qytetin e tyre, janë të detyruar që këtë turne tashmë tradicional ta zhvendosin dhe ta mbajnë sërish në palestrën sportive në Kamenicë.

Në këtë ngjarje të madhe sportive pritet të marrin pjesë rreth 200 garues nga shtete të ndryshme të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën dhe Bullgarinë.

Sa i përket logjistikës, zyrtarët e KXH “Gjilani” kanë bërë të ditur se Komuna e Gjilanit ka marrë përsipër akomodimin, fjetjen dhe ushqimin e këtyre sportistëve, të cilët do të vendosen në Konviktin e nxënësve dhe studentëve në Gjilan.

Në anën tjetër, shpenzimet për medaljet, mirënjohjet dhe gjërat e tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e garave janë siguruar nga vetë klubi përmes vetëfinancimit.

 

 

Shpërndaj me të tjerët