Këshilltari komunal i Vatrës thotë se qytetarët po përballen me shqetësime nga mushkonjat dhe insektet gjatë sezonit veror
Këshilltari komunal i Lëvizjes Vatra në Gjilan, Kushtrim Kadriu, ka kërkuar që Komuna të nisë sa më shpejt procesin e Dezinfektimit, Dezinsektimit dhe Deratizimit (DDD), duke e cilësuar atë si një ndër masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik.
Përmes një reagimi publik, Kadriu ka bërë të ditur se këtë çështje kishte planifikuar ta ngrinte në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, në kuadër të pikës “Pyetje dhe Përgjigje”, duke kërkuar sqarime nga drejtoresha e Shëndetësisë, Mimoza Kadriu, për arsyet pse ende nuk ka nisur procesi i DDD-së.
Sipas tij, për shkak të zhvillimeve dhe problemeve që shoqëruan seancën, nuk pati mundësi ta parashtrojë pyetjen, prandaj vendosi t’i drejtohet me kërkesë publike drejtoreshës.
“Kërkoj që urgjentisht të fillojë procesi i Dezinfektimit, Dezinsektimit dhe Deratizimit në qytetin e Gjilanit”, ka theksuar Kadriu.
Ai ka kërkuar nga drejtoresha Mimoza Kadriu të sqarojë se kur do të nisë ky proces, duke vlerësuar se ai është i domosdoshëm për ruajtjen e shëndetit publik, pastërtisë kolektive dhe për uljen e numrit të mushkonjave dhe insekteve të tjera që po shqetësojnë qytetarët gjatë stinës së verës.
Sipas këshilltarit të Vatrës, institucionet komunale duhet të veprojnë pa vonesë, në mënyrë që qytetarët të kenë një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm gjatë muajve të verës.
