SPORT/ Dy talentë të Akademisë së SC Gjilanit ftohen te Kombëtaret e Kosovës U15 dhe U16

Ensar Rexhepi dhe Admirim Muji shpërblehen për punën dhe talentin, trajneri Alban Nevzati: Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tyre

Akademia e SC Gjilanit vazhdon të dëshmojë se është një nga vatrat më të rëndësishme të zhvillimit të talenteve të rinj në futbollin kosovar.

Dy futbollistët e saj, Ensar Rexhepi dhe Admirim Muji, kanë marrë ftesë për të veshur fanellën e Kombëtares së Kosovës, përkatësisht në grupmoshat U16 dhe U15, duke përfaqësuar me krenari klubin, qytetin e Gjilanit dhe Kosovën.

Ky sukses vjen si rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe përkushtimit që të dy futbollistët kanë treguar në Akademinë e SC Gjilanit.

Nën drejtimin e trajnerit Alban Nevzati, Ensari dhe Admirimi kanë bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e tyre sportiv, duke dëshmuar se talenti, i shoqëruar me punë të palodhshme dhe karakter të fortë, hap rrugën drejt niveleve më të larta të futbollit.

Për Akademinë e SC Gjilanit, ky është një moment krenarie dhe një dëshmi se puna me grupmoshat e reja po jep frytet e saj. Njëkohësisht, është një motivim për të gjithë futbollistët e rinj që ëndërrojnë të ndjekin të njëjtën rrugë.

Trajneri Alban Nevzati, që po bën punë të jashtëzakonshme kudo që po shkon,  uroi dy futbollistët për këtë arritje, duke theksuar se kjo është vetëm pika e nisjes së karrierës së tyre.

“Urojmë që ky të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë e të suksesshëm me fanellën e Kosovës dhe në futbollin profesionist. Urime Ensar Rexhepi dhe Admirim Muji! Vazhdoni të punoni me të njëjtin pasion, sepse e ardhmja u takon atyre që nuk ndalen kurrë së besuari në ëndrrat e tyre”, ka thënë Nevzati.

Shpërndaj me të tjerët