Java e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga temperatura shumë të larta, ndërsa nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase ajrore më të freskët që do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh.
E hëna pritet të jetë dita më e nxehtë e javës, me temperatura maksimale që do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.
Edhe e marta do të mbetet e nxehtë, megjithëse gjatë pasdites parashihen vranësira dhe reshje lokale në disa zona.
Të mërkurën moti do të jetë i paqëndrueshëm, me reshje shiu, shkarkime rrufesh dhe mundësi për breshër në zona të izoluara.
Nga e enjtja pritet freskim i dukshëm, me temperatura maksimale që do të zbresin në 24–27°C, ndërsa moti do të mbetet kryesisht me diell dhe me mundësi për reshje të izoluara.
Të premten temperaturat do të lëvizin ndërmjet 25 dhe 28 gradë Celsius.
Meteorologët këshillojnë qytetarët që në fillim të javës të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura.
Ndërkohë, fermerëve u rekomandohet ujitja e rregullt e kulturave bujqësore për shkak të temperaturave të larta dhe avullimit të shtuar.
