Djali i tij, logopedi Endrit Osmani, e kujton me mall babanë, internistin dhe gastro-hepatologun e njohur gjilanas, në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta
Kanë kaluar pesë vjet nga ndarja nga jeta e Dr. Ramush T. Osmanit (1952–2021), njërit prej mjekëve më të respektuar që ka njohur Gjilani.
Në këtë përvjetor, djali i tij, logopedi Endrit Osmani, ka kujtuar me krenari dhe mall jetën, veprën dhe trashëgiminë që babai i tij la pas në shërbim të pacientëve dhe komunitetit.
Dr. Ramush Osmani lindi në Gjilan në vitin 1952, në një familje të njohur për traditat qytetare, atdhetare, intelektuale dhe arsimdashëse.
Familja Osmani ka dhënë figura të rëndësishme për qytetin, ndër ta ish-kryetarët e Komunës së Gjilanit, Ramush Osmani dhe Emin Osmani, arsimtaren e njohur Makfire Osmani, si dhe sportistë të dalluar.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Gjilan, ndërsa studimet për mjekësi i nisi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin akademik 1970/71, si pjesë e gjeneratës së dytë të këtij fakulteti.
Falë rezultateve të shkëlqyera dhe diplomës “Vuk Karaxhiq”, ai u pranua pa provim pranues, duke qenë i vetmi kandidat nga trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë që e arriti këtë sukses.
Përveç se ishte student i dalluar, Ramushi njihej edhe për kulturën e gjerë, dashurinë e madhe për artin dhe muzikën. Ai krijoi një koleksion mbresëlënës me mbi 9 mijë pllaka muzikore, duke qenë një prej koleksionuesve më të pasionuar të kohës.
Pas diplomimit në vitin 1980, filloi punën si mjek i përgjithshëm në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Më pas vazhdoi specializimin dhe nënspecializimin në Universitetin e Zagrebit, ku në vitin 1988 përfundoi me sukses specializimin në mjekësinë interne dhe gastro-hepatologji.
Pas kthimit në vendlindje, iu përkushtua punës në Repartin e Internistikës në Qendrën Mjekësore Rajonale të Gjilanit, ku për dekada u bë sinonim i profesionalizmit, përkushtimit dhe humanizmit.
Nga viti 2010 drejtoi Repartin e Hemodializës, detyrë të cilën e ushtroi deri në pensionimin e tij në vitin 2017, pas plot 38 vitesh shërbim. Ata që e njohën thonë se Dr. Ramush Osmani ishte mjek në kuptimin më fisnik të fjalës.
Ai respektoi gjithmonë Betimin e Hipokratit, nuk punoi kurrë në ordinanca private dhe nuk kërkoi asnjëherë përfitim financiar nga pacientët. Për të, shëndeti dhe jeta e njeriut ishin mbi gjithçka.
Gjatë karrierës mori pjesë në konferenca të shumta shkencore brenda dhe jashtë vendit, ndërsa me dijen dhe përvojën e tij ndihmoi qindra pacientë dhe fitoi respektin e kolegëve në mbarë Kosovën.
Pesë vjet pas largimit të tij, emri i Dr. Ramush Osmanit vazhdon të përmendet me nderim. Ai nuk la pas vetëm një karrierë të suksesshme mjekësore, por edhe shembullin e një njeriu të ndershëm, human dhe të përkushtuar, që gjithë jetën ia kushtoi pacientëve dhe shërbimit ndaj tyre.
Ka njerëz që largohen fizikisht, por mbeten përgjithmonë në kujtesën e qytetit. Dr. Ramush Osmani është njëri prej tyre.

