Këshilltari komunal i LDK-së në Gjilan kërkon transparencë për çmimet e korrjes dhe grumbullimit të grurit Këshilltari komunal i LDK-së në Gjilan, Muhadin Haziri, ka reaguar ndaj mungesës së informacioneve zyrtare për fermerët në prag të fillimit të sezonit të korrjes së grurit.
Përmes një postimi publik, Haziri shprehet se, edhe pse kanë mbetur vetëm pak ditë deri në nisjen e korrjeve, fermerët ende nuk kanë marrë asnjë njoftim nga institucionet përgjegjëse lidhur me çmimin e korrjes së kombajnuar, si dhe çmimet orientuese për grumbullimin e grurit në mullinj dhe pikat grumbulluese.
Sipas tij, kjo mungesë e komunikimit nga Ministria dhe Komuna po krijon pasiguri te fermerët, të cilët gjatë gjithë sezonit kanë përballuar kosto të larta për derivate, plehra, farë dhe inpute të tjera bujqësore.
“Edhe pse na ndajnë vetëm pak ditë nga fillimi i korrjes, fermerët ende nuk kanë mundësi të planifikojnë aktivitetet e tyre. Kjo heshtje institucionale është e pakuptimtë dhe shqetësuese”, ka shkruar Haziri.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa dhe, në përputhje me rregulloret në fuqi, të dalin sa më parë me një njoftim zyrtar për çmimet orientuese të korrjes dhe grumbullimit të grurit.
Në fund, Haziri thekson se fermerët meritojnë transparencë, siguri dhe mbështetje institucionale, e jo pasiguri në prag të një prej periudhave më të rëndësishme të vitit për sektorin e bujqësisë.
