SPORT/ Skender Hoxha – Kena, njeriu që jetoi çdo rol të futbollit gjilanas

Nga futbollist te gjyqtar, trajner, drejtor, delegat e superkontrollor, një jetë e tërë në shërbim të lojës së bukur

Ka emra që nuk lidhen vetëm me një klub apo një periudhë të caktuar. Janë emra që bëhen pjesë e historisë së një qyteti.

Njëri prej tyre është padyshim Skender Hoxha – Kena, një figurë e rrallë e futbollit gjilanas dhe kosovar, i cili për më shumë se pesë dekada ka qenë pjesë e çdo hallke të futbollit.

I lindur në vitin 1956 në Cërnicë të Gjilanit, ai u vendos në Gjilan që në moshën pesëvjeçare. Pikërisht në rrugicat e qytetit, duke luajtur me fëmijët e lagjes, nisi historia e dashurisë së tij me futbollin.

Nga pionier i “Crvena Zvezdës” deri te ekipi i parë

Në vitin 1970 bëhet pjesë e gjeneratës së parë të pionierëve të “Crvena Zvezdës” së Gjilanit.

Dy vite më vonë kalon te juniorët, ndërsa në vitin 1974, vetëm 18-vjeçar, trajneri Jakup Berisha e merr me ekipin e parë në përgatitjet në Ohër.

“Ka qenë një emocion që nuk harrohet kurrë”, kujton ai, pasi për një djalosh të ri ishte realizimi i një ëndrre.

Si mesfushor ofensiv, i aftë të luante në tri pozicione të mesfushës, ai mbrojti ngjyrat e “Crvena Zvezdës” deri në vitin 1982.

Kalimi te Drita dhe fundi i karrierës si futbollist

Pas një mosmarrëveshjeje me drejtuesit e klubit, ku u larguan disa futbollistë, Hoxha kaloi te rivali lokal, KF Drita.

Me fanellën bardhekaltër luajti deri në vitin 1986, kur në moshën 30-vjeçare vendosi t’i japë fund karrierës si futbollist aktiv.

Por futbolli nuk kishte mbaruar për të. Përkundrazi, aty vetëm sa po niste një kapitull i ri.

Pipi që u bë simbol i drejtësisë në futboll

Edhe sa ishte futbollist kishte kryer provimin për gjyqtar dhe për dy vite luante futboll, ndërsa fundjavave referonte ndeshjet e pionierëve dhe ligës rajonale.

Nga sezoni 1986/87 iu përkushtua plotësisht arbitrimit. Brenda një kohe të shkurtër avancoi në Ligën e Parë të Kosovës, duke u shquar për autoritetin, integritetin dhe vendosmërinë në fushë.

Në vitin 1990 ishte propozuar të merrte titullin e gjyqtarit federativ të ish-Jugosllavisë, por zhvillimet politike dhe pavarësimi i futbollit kosovar ia pamundësuan këtë hap.

Dy finale që mbetën përgjithmonë në kujtesë

Në vitet më të vështira të futbollit kosovar, kur ndeshjet zhvilloheshin në livadhe, Skender Hoxha ndau drejtësinë në disa nga sfidat më historike.

Në vitin 1994 referoi finalen e “Play-Off”-it ndërmjet Dukagjinit të Klinës dhe Flamurtarit të Prishtinës, ndeshje që përcaktoi kampionin e Kosovës.

Një vit më vonë ishte gjyqtari kryesor edhe në finalen e Kupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Dukagjinit.

Po atë vit u shpall edhe gjyqtari më i mirë i Kosovës, një vlerësim që kurorëzoi profesionalizmin e tij.

35 vjet në krye të Shoqatës së Gjyqtarëve të Anamoravës

Në vitin 1991 u formua Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës, ndërsa Skender Hoxha u zgjodh kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Anamoravës.

Edhe sot, pas 35 vitesh, vazhdon ta mbajë këtë detyrë. Nën drejtimin e tij janë organizuar 25 gjenerata të reja gjyqtarësh.

Ka qenë ligjërues kryesor, kryetar i komisioneve të provimeve dhe mentor i dhjetëra arbitrave. Falë punës së tij janë formuar mbi 60 gjyqtarë, përfshirë nëntë femra, ndërsa nga kjo shkollë ka dalë edhe arbitri me stemën e FIFA-s, Mervan Bejtullahu.

Nga drejtori kampion te trajneri i brezave të rinj

Në vitin 2002 diplomoi në Shkollën e Lartë të Trajnerëve pranë Fakultetit të Kulturës Fizike në Prishtinë.

Në sezonin 2002/03 u emërua drejtor i përgjithshëm i KF Dritës, sezon në të cilin klubi fitoi titullin e parë kampion në histori.

Më pas punoi si trajner i grupmoshave të reja të Dritës, drejtoi ekipin e parë në sezonin 2008/09 dhe kontribuoi edhe te Vëllaznimi i Pozhoranit, Bashkimi i Koretinit, ndërsa prej vitit 2024 është ndihmës-trajner te KF Kika e Hogoshtit.

Një rekord që zor se do të përsëritet

Në karrierën e tij Skender Hoxha ka qenë futbollist, gjyqtar, trajner, drejtor klubi, delegat, kontrollor dhe superkontrollor i gjyqtarëve.

Është e vështirë të gjendet një figurë tjetër në Anamoravë që ka kaluar me sukses në të gjitha këto role.

Historia e Skender Hoxhës nuk është vetëm historia e një njeriu. Është historia e futbollit gjilanas, e sakrificës, përkushtimit dhe dashurisë së pakushtëzuar për sportin.

Breza të tërë futbollistësh, trajnerësh e gjyqtarësh janë rritur nën ndikimin e tij, ndërsa emri i “Kenës” mbetet një prej emrave që do të përmendet gjithmonë me respekt sa herë të flitet për futbollin në Gjilan dhe Kosovë.

Shënim:

Ky tekst nuk mound të kopjohet as të tjetërsohet.

Mund të shpërndahet vetëm si link.

Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!

Botuesi dhe redaktori:

/F.S./

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët