Shkolla e Mesme e Ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan ka një tjetër faqe suksesi në historikun e saj arsimor. Binjakët Eni dhe Ani Kosumi kanë dëshmuar sërish talentin e tyre në fushën e shkencave ekzakte.
Ndonëse vijojnë mësimet në klasën e shtatë, Eni dhe Ani, me një guxim të lartë shkencor, kanë pranuar të garojnë në një kategori më të lartë, e cila ishte e përbashkët për klasat e shtata dhe të teta.
Në këtë konkurrencë të ashpër dhe me rivalitet të lartë, vëllezërit Kosumi arritën sukses kulmor.
Eni Kosumi u nderua me Medaljen e Artë, kurse Ani Kosumi fitoi Medaljen e Argjendtë, duke qenë vetëm 5 pikë larg për të rrëmbyer edhe ai medaljen e artë.
Olimpiada KAMO nuk është thjesht një garë akademike, por një urë lidhëse e dijes mbarëshqiptare.
Ky aktivitet është fryt i bashkëpunimit të ngushtë në institucionet mes Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës (ShMK) dhe Shoqatës Shqiptare të Matematikës (ShShM).
Karakteri i saj mbarëkombëtar u konfirmua edhe këtë vit, ku morën pjesë jo vetëm nxënës nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora.
Ky sukses i binjakëve Kosumi i lartëson emrin e shkollës “Rexhep Elmazi” dhe të qytetit të Gjilanit, duke treguar qartë se investimi te rinia dhe puna e palodhshme arsimore sjellin gjithmonë rezultate në majat e dijes.
Urime kampionëve tanë të rinj!

