Sport Club Gjilani ka vazhduar me ndryshimet në skuadër para nisjes së sezonit të ri, duke konfirmuar largimin e katër futbollistëve: Sabit Bilalli, Ennur Totre, Vokli Laroshi dhe kapitenit Edison Kqiku.
Klubi kuqebardhë ka bërë të ditur përmes njoftimeve zyrtare se bashkëpunimi me këta futbollistë ka përfunduar, duke i falënderuar për kontributin e dhënë dhe duke u uruar suksese në vazhdim të karrierës së tyre.
Mesfushori Sabit Bilalli largohet pas përfundimit të kontratës. Gjatë kohës sa ishte pjesë e Gjilanit, ai zhvilloi 65 ndeshje kampionale dhe katër në Kupën e Kosovës, duke realizuar edhe tre gola.
Edhe me mesfushorin Ennur Totre bashkëpunimi është ndërprerë me marrëveshje të dyanshme. Ai regjistroi 23 paraqitje në kampionat dhe një në Kupën e Kosovës me fanellën e Gjilanit. Klubi është ndarë edhe me Vokli Laroshin, i cili zhvilloi 22 ndeshje në kampionat dhe dy në Kupën e Kosovës, duke qenë pjesë e skuadrës gjatë sezonit të kaluar.
Largimi më i rëndësishëm është ai i kapitenit Edison Kqiku. Me kërkesë të vet futbollistit, bashkëpunimi është ndërprerë me mirëkuptim të ndërsjellë, pavarësisht se kontrata e tij ishte ende në fuqi.
Kqiku, produkt i akademisë së Gjilanit dhe një nga futbollistët më të lidhur me klubin, për nëntë edicione veshi fanellën kuqebardhë, duke zhvilluar 134 ndeshje zyrtare. Gjatë kësaj periudhe ai shënoi pesë gola dhe regjistroi tetë asistime, ndërsa për shumë vite ishte një nga liderët e skuadrës dhe mbajti shiritin e kapitenit.
Në njoftimet zyrtare, SC Gjilani ka falënderuar të katër futbollistët për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tyre, duke u uruar shëndet dhe suksese në sfidat e reja të karrierës sportive.
