Gjilani i shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX ka qenë një vatër e fuqishme e zanatlinjve dhe mjeshtërve të zotë.
Ndër zejet më unike dhe më të rëndësishme të asaj kohe, pa dyshim radhitet ajo e armëpunuesve, apo siç njiheshin në popull si dyfekçinjtë. Sipas të dhënave historike, në kulmin e këtij zhvillimi, në qytet numëroheshin plot pesë punëtori armësh.
Përveç prodhimit dhe riparimit të armëve të ndryshme të zjarrit, këta mjeshtër të metaleve ishin artistë më vete; ata prodhonin edhe thika, brisqe, kuti dhe produkte të tjera unike nga metali që kryenin punë në përditshmërinë e gjilanasve.
Mjeshtrit që lanë gjurmë në historinë e qytetit
Në dokumentet e viteve 1879-1883, në Gjilan përmendet emri i Osman agë Mustafës, një muhaxhir nga Leskovci që solli përvojën e tij në qytet. Më vonë, një figurë qendrore e këtij zanati u bë mjeshtër Riza Demiri (1868-1943), i cili e ushtroi këtë zeje për gati gjysmë shekulli (nga viti 1898 deri në vdekje). Zanatin e tij e trashëguan për disa kohë edhe djemtë e tij, Ismajli dhe Syla.
Nga viti 1938, skenës së mjeshtërve iu bashkuan edhe vëllezërit Idriz dhe Ismajl Musliu. Ata nuk mbetën vetëm te armët; duke pasur aftësi të jashtëzakonshme si metalpunues agjustatorë, vëllezërit Musliu mirëmbanin makinat e korrje-fshirjes së grurit, riparonin makinat e qepjes, biçikletat, si dhe prodhonin objekte shtëpiake si mulli kafeje, shkrepëse e kuti duhani.
Me largimin e kësaj gjenerate, po mbyllej edhe një epokë e artë. Idrizi mbeti në histori si armëpunuesi i fundit që njohu qyteti i Gjilanit.
Shënim nga libri “Zejtaria e Gjilanit”
