EKONOMI/ Banorët e disa fshatrave paraqesin kërkesat për buxhetin e Gjilanit

Të enjten mbrëma, në fshatin Kmetoc u mbajt dëgjimi publik buxhetor me pjesëmarrjen e banorëve të këtij lokaliteti, si dhe të fshatrave Përlepnicë, Shillovë, Vërbicë dhe Dobërçan.

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëbisedimi me qytetarët mbi kërkesat, nevojat dhe prioritetet e tyre për planifikimin e buxhetit komunal.

​Takimi u drejtua nga Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi Kqiku, ndërsa të pranishëm për të dëgjuar dhe dialoguar me banorët ishin edhe drejtorët e dikastereve përkatëse: Jeton Rexhepi (Arsim), Mimoza Kadriu Qerimi (Shëndetësi),  Kushtrim Ibrahimi (Shërbime Publike), Haki Huruglica (Zhvillim Ekonomik),  Avdyl Kastrati (Buxhet dhe Financa), si dhe anëtari i Kuvendit Komunal, Naser Arifi.

​Gjatë këtij dëgjimi publik, banorët e lokaliteteve përkatëse parashtruan prioritetet e tyre, të cilat pritet të shqyrtohen dhe të përfshihen në planifikimin buxhetor të Komunës së Gjilanit për periudhën 2027–2029.

​Me këtë rast, përfaqësuesit e komunës shprehën falënderimet e tyre për qytetarët për pjesëmarrjen, frymën konstruktive të diskutimit dhe kontributin e dhënë në përcaktimin e prioriteteve investuese për zhvillimin e këtyre vendbanimeve.

Shpërndaj me të tjerët