Asambleisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Burhan Isufi, gjatë seancës së fundit ka ngritur një sërë çështjesh me rëndësi për banorët e Zhegrës dhe fshatrave afër saj, duke kërkuar llogaridhënie direkte nga drejtoritë përkatëse.
Isufi i ka drejtuar pyetje konkrete Drejtorit të Shërbimeve Publike lidhur me kohën se kur pritet të fillojë realizimi i projekteve të propozuara, të cilat tashmë janë përfshirë në buxhetin komunal për vitin 2026.
Në fokus të kërkesave të tij janë rregullimi i Monumentit për Martirët e Luftës 1999 në Zhegër, rregullimi dhe zgjerimi i urës ekzistuese po në Zhegër, si dhe ndërtimi i urës së re te Tregu në këtë fshat.
Po ashtu, investimet e kërkuara përfshijnë rregullimin e rrugës për fshatin Goden, rregullimin e rrugës për fshatin Terzijaj, si dhe atë të rrugës “Përroi i Vërmicës” në Vërmicë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e parashtruar nga asambleisti është edhe rregullimi i hapësirës për shërbime publike në Zhegër, ku hyjnë parkingu, shkolla, stacioni i policisë, ambulanta dhe hapësirat për komunitetin.
Përveç investimeve në infrastrukturë, asambleisti nga Zhegra ka ngritur shqetësime edhe në sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.
Ai i ka kërkuar sqarime Drejtoreshës së Shëndetësisë se kur pritet të fillojë procesi i subvencionimit për familjet strehuese alternative apo nëse janë ekzekutuar tashmë mjetet për këtë kategori.
Banorët e kësaj ane presin me interes përgjigjet zyrtare nga ekzekutivi komunal për dinamikën e punimeve të këtyre projekteve me rëndësi jetike për komunitetin.
