Pingpongistja e re nga Gjilani, Zana Bllaca, ka shkëlqyer në arenën ndërkombëtare duke regjistruar një paraqitje fantastike në turneun “International Table Tennis Transalpine Trophy & Mediterranean Cup 2026”, i cili u mbajt në Itali.
E shoqëruar nga Arijon Krasniqi nga Ferizaj dhe nën udhëheqjen e trajnerit Naser Hasani, kombëtarja e Kosovës arriti të ngjitet në podiumin e fituesve.
10-vjeçarja Bllaca, e cila mban titullin e kampiones së Kosovës për gjeneratat U-11, U-13 dhe U-15, tregoi një formë të jashtëzakonshme duke grumbulluar 9 fitore dhe vetëm 1 humbje gjatë gjithë përballjeve ekipore.
Përveç suksesit me ekipin, Zana shkëlqeu edhe në konkurrencën individuale, ku u fut në mesin e 8 lojtareve më të mira të turneut, pasi mposhti ndër të tjera edhe përfaqësuesen nga Serbia.
Arritje historike për pingpongun kosovar
Suksesi në Itali shënon një moment kthese për këtë sport në vend.
Sipas teknikut gjilanas Naser Hasani, kjo është hera e parë që Kosova arrin të rrëmbejë medalje ekipore në një rang të këtij niveli ndërkombëtar.
“Pas një rrugëtimi të fortë dhe plot ndeshje të luftuara, Kosova përfundon garën duke u renditur ndër tri ekipet më të suksesshme, ku siguruam medaljen e bronztë. Vendin e tretë e kemi ndarë me një nga ekipet nikoqire të Italisë,” u shpreh trajneri Hasani.
