Në dëgjimin e fundit buxhetor të mbajtur në Gjilan, asambleistja nga radhët e PDK-së, Liresë Kosumi Ibrahimi, ka shpalosur pesë kërkesa prioritare që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të banorëve të Velekincës dhe lagjes Arbëria.
Sipas saj, këto kërkesa pasqyrojnë nevojat reale dhe urgjente të qytetarëve për investime në infrastrukturë, siguri rrugore, ndriçim publik dhe shërbime shëndetësore.
Kërkesat e paraqitura nga asambleistja Kosumi Ibrahimi përfshijnë:
Nisja dhe përfundimi i asfaltimit të më shumë se 50 rrugëve në fshatin Velekincë.
Rregullimi i sinjalizimit te zebrat përballë shkollës në Velekincë dhe krijimi i një vendkalimi të ri përballë furrës në këtë fshat, për të garantuar sigurinë e nxënësve gjatë lëvizjes.
Rregullimi i ndriçimit te pllaka përkujtimore përballë shkollës në Velekincë dhe në trotuarin përreth, hapësirë kjo që aktualisht përballet me mungesë të plotë të ndriçimit gjatë natës.
Rregullimi dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e parkut në qendër të lagjes Arbëria, me qëllim që kjo hapësirë t’u shërbejë denjësisht fëmijëve dhe të rriturve.
Në bashkëpunim me kryetarin e Këshillit të Fshatit Velekincë, është kërkuar që ambulanta në lagjen Arbëria të funksionojë edhe gjatë fundjavës (të shtunën dhe të dielën), me qëllim përballimin e fluksit të madh të pacientëve.
Asambleistja theksoi se realizimi i këtyre pikave është i domosdoshëm për përmirësimin e mirëqenies dhe sigurisë së banorëve të këtyre zonave.
