Gjimnazi shoqëror „Zenel Hajdini“ në Gjilan ka shprehur falënderimin e sinqertë për Isuf Behluli, me origjinë nga Gjilani, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, për kontributin e tij të çmuar dhe të vazhdueshëm ndër vite në mbështetje të këtij institucioni arsimor.
Më 12 gusht 2026, Behluli dhuroi një sasi mikroskopësh për Aktivin e Shkencave, përkatësisht për nevojat e lëndës së Biologjisë.
Ky donacion do t’u mundësojë nxënësve zhvillimin e punës praktike, hulumtimeve dhe shkathtësive shkencore, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Në takimin e zhvilluar me këtë rast, morën pjesë drejtori i Gjimnazit „Zenel Hajdini“, Ilir Vokshi, si dhe kryetari i Aktivit të Shkencave, Prof. Ali Kryeziu.
Përveç falënderimit për pajisjet e reja, u vlerësua lart edhe mbështetja e hershme e mërgimtarit Behluli, i cili edhe më parë e ka ndihmuar këtë shkollë me banka dhe mjete të tjera të nevojshme mësimore.
Takimi shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt vazhdimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen, me synim pasurimin e inventarit shkollor, krijimin e kushteve më moderne të punës dhe zhvillimin e mëtejshëm të procesit mësimor.
Drejtuesit e shkollës theksuan se kontributet e tilla janë një dëshmi e përkushtimit ndaj arsimit dhe një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e breznive të reja.
