SPORT/Drita shkatërron Tre Fiorin me pesë gola dhe kalon tutje në Play-Off

Klubi i Futbollit Drita ka arritur një fitore të madhe dhe me rezultat të thellë ndaj skuadrës nga San Marino, Tre Fiori, duke e mposhtur atë me shifrat 5:0.

Me këtë triumf, ekipi gjilanas siguroi kalimin tutje me rezultat të përgjithshëm 9:1 nga të dyja ndeshjet.

​Në këtë përballje, Drita tregoi një lojë të shkëlqyer, me dominim të plotë, aksione të rrjedhshme, goditje shtylle dhe pesë gola të shënuar.

Ky ishte një fillim mjaft pozitiv për trajnerin e rikthyer në stol, Ardian Nuhiu.

​Seria e golave u hap në minutën e 19-të. Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Vesel Limaj, më i larti në zonë u shkëput francezi Nguena, i cili me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.

I njëjti futbollist u shfaq sërish protagonist në minutën e 40-të, kur realizoi nga afërsia për të dyfishuar epërsinë.

Tre minuta më vonë, pas një ndërhyrjeje të palejuar në zonë ndaj Ovouka-s, gjyqtari akordoi penallti, të cilën në gol e shndërroi Manaj për rezultatin 3:0.

​Dominimi i vendasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë. I sapoinkuadruari Mika Arthur shënoi golin e katërt me prekjen e tij të parë të topit, ndërsa rezultatin përfundimtar 5:0 e vulosi sërish Manaj, me një tjetër realizim nga afërsia.

​Pas këtij suksesi, FC Drita ka siguruar kualifikimin në fazën Play-Off, ku do të përballet me skuadrën nga Andorra, Inter Club d’Escaldes.

Shpërndaj me të tjerët