Sot nga ora 16:30, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, hapet zyrtarisht sipari i edicionit të ri të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, ku Feronikeli do të presë skuadrën e Gjilanit.
Kjo përballje e parë e kampionatit shihet si mjaft e rëndësishme për të dyja palët, të cilat synojnë ta nisin mbarë rrugëtimin e tyre në këtë edicion.
Feronikeli rikthehet në elitën e futbollit kosovar me synime të qarta për të konsoliduar pozitën e tij dhe për të siguruar një qëndrueshmëri afatgjatë në këtë rang garash.
Gjilani, nga ana tjetër, ka bërë ndryshime të shumta në fondin e lojtarëve gjatë afatit kalimtar.
Trajneri Debatik Curri ka bërë të ditur se objektivi kryesor i skuadrës për këtë sezon mbetet pozicionimi në tri vendet e para të tabelës.
Të dyja skuadrat e mbyllën me sukses fazën përgatitore, ku përmes një sërë ndeshjesh kontrolluese kanë testuar formën dhe kanë konsoliduar grupet e lojtarëve për sfidat zyrtare që i presin.
Sfidat e para gjithmonë sjellin emocione dhe papritshmëri, ndërsa mbetet të shihet se cila skuadër do t’i rrëmbejë pikët e para të këtij sezoni.
