Klubi i Futbollit Drita ka arritur një fitore të madhe dhe me rezultat të thellë ndaj skuadrës nga San Marino, Tre Fiori, duke e mposhtur atë me shifrat 5:0.
Me këtë triumf, ekipi gjilanas siguroi kalimin tutje me rezultat të përgjithshëm 9:1 nga të dyja ndeshjet.
Në këtë përballje, Drita tregoi një lojë të shkëlqyer, me dominim të plotë, aksione të rrjedhshme, goditje shtylle dhe pesë gola të shënuar.
Ky ishte një fillim mjaft pozitiv për trajnerin e rikthyer në stol, Ardian Nuhiu.
Seria e golave u hap në minutën e 19-të. Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Vesel Limaj, më i larti në zonë u shkëput francezi Nguena, i cili me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.
I njëjti futbollist u shfaq sërish protagonist në minutën e 40-të, kur realizoi nga afërsia për të dyfishuar epërsinë.
Tre minuta më vonë, pas një ndërhyrjeje të palejuar në zonë ndaj Ovouka-s, gjyqtari akordoi penallti, të cilën në gol e shndërroi Manaj për rezultatin 3:0.
Dominimi i vendasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë. I sapoinkuadruari Mika Arthur shënoi golin e katërt me prekjen e tij të parë të topit, ndërsa rezultatin përfundimtar 5:0 e vulosi sërish Manaj, me një tjetër realizim nga afërsia.
Pas këtij suksesi, FC Drita ka siguruar kualifikimin në fazën Play-Off, ku do të përballet me skuadrën nga Andorra, Inter Club d’Escaldes.
