Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka publikuar bilancin e aktiviteteve në trafikun rrugor për periudhën prej 7 korrikut deri më 13 gusht 2026, ku gjatë kontrolleve intensive janë shqiptuar gjithsejtë 1,737 gjoba për kundërvajtësit e rregullave të komunikacionit.
Përveç gjobave monetare, masat ndëshkuese kanë përfshirë edhe pezullimin e lejes së ngasjes për 54 drejtues automjetesh, ndërsa janë ndëshkuar 73 ngasës motoçikletash, 35 vozitës për përdorim të telefonit celular gjatë ngasjes, si dhe janë shqiptuar 8 gjoba për shkaktim të zhurmës gjatë orëve të natës.
Gjatë të njëjtës periudhë kohore, zyrtarët policorë kanë hetuar gjithsejtë 51 aksidente trafiku, prej të cilave 24 kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 27 të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Me këtë rast, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë ngasësve që të tregojnë kujdes të shtuar në timon, të shmangin përdorimin e telefonit celular dhe t’i përmbahen rregullave të komunikacionit, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
