INFRASTRUKTURË/Banorët e rrugës “Haki Myderizi” në Gjilan, të pakënaqur me punimet e kryera

Përderisa në rrjetet sociale pamjet nga droni dhe përpunimet me inteligjencë artificiale e paraqesin si një projekt model, realiteti në terren në rrugën “Haki Myderizi” në Gjilan është krejt ndryshe.

Asfaltimi i kësaj rruge ka lënë mjaft të pakënaqur banorët e lagjes, të cilët përballen me probleme konkrete që nga përfundimi i punimeve.

​Shqetësimi kryesor i qytetarëve lidhet me skajoret (anësoret) e rrugës, të cilat jo vetëm që cilësohen si të një cilësie të dobët, por janë vendosur pa asnjë standard teknik.

Në shumë hyrje të oborreve dhe garazheve private, anësoret janë lënë në lartësi të papranueshme, duke ua pamundësuar ose vështirësuar seriozisht banorëve futjen e automjeteve të tyre.

​Sipas banorëve, reagimet dhe shqetësimet e tyre janë ngritur që gjatë kohës sa po kryheshin punimet, mirëpo kërkesat e tyre janë injoruar plotësisht nga përgjegjësit e operatori ekonomik.

​Për më tepër, disa nga anësoret e sapovendosura është dashur të zëvendësohen sërish pasi u dëmtuan nga vetë makineritë e kompanisë gjatë procesit të punës.

​Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga përfundimi i asfaltimit, zgjidhje për këtë problem ende nuk ka.

Banorët bëjnë të ditur se për këto parregullsi kanë njoftuar si organet drejtuese të drejtorisë përkatëse komunale, ashtu edhe pronarin e operatorit ekonomik.

​Marrja e përgjigjeve është kufizuar vetëm në premtime verbale se “çështja do të rregullohet”, ndërsa në terren gjendja mbetet e njëjtë dhe amatorizmi i punimeve po vazhdon t’u shkaktojë pengesa ditore banorëve të kësaj lagjeje.

Shpërndaj me të tjerët