INFRASTRUKTURË SPORTIVE/ “Skifterat” reagojnë ashpër për bllokimin e punimeve në Stadiumin e Gjilanit

Tifozët e Gjilanit, “Ultras Skifterat”, kanë dalë me një thirrje të fortë publike drejtuar institucioneve qendrore dhe përfaqësuesve politikë, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme për ndërprerjen e punimeve në Stadiumin e Qytetit.

​Përmes një komunikate zyrtare, grupi i tifozëve u ka bërë thirrje Ministrit të Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ministrit të Financave, Hekuran Murati, si dhe deputetëve të rajonit të Gjilanit, që të dalin me një deklaratë publike dhe të sqarojnë shkaqet e bllokimit të projektit.

​Përveç kërkesës për transparencë, “Skifterat” propozojnë edhe krijimin e një mekanizmi të ri kontrolli në terren.

​”Kërkojmë që menjëherë të formohet një komision mbikëqyrës, i përbërë nga përfaqësues të klubeve të qytetit dhe nga një përfaqësues i kryesive të tifozëve, i cili do të përcjellë çdo fazë të punimeve, me qëllim garantimin e transparencës dhe përfundimit të projektit”, thuhet në reagimin e tyre.

Në komunikatë theksohet gjithashtu se, nëse institucionet përgjegjëse nuk marrin hapa konkretë për rinisjen e punimeve, do të kërkohet llogaridhënie politike dhe qytetare.

​”Stadiumi i Gjilanit nuk është projekt i një partie apo i një qeverie, por pasuri e qytetit dhe e sportit tonë. Është koha për përgjegjësi, transparencë dhe veprim konkret”, përmbyllin reagimin e tyre “Ultras Skifterat”.

Çështja e rinovimit të Stadiumit të Qytetit në Gjilan mbetet një nga temat më të ndjeshme për sportdashësit lokalë, të cilët tash e sa kohë përballen me vonesa të njëpasnjëshme në realizimin e këtij projekti vital për infrastrukturën sportive.

Shpërndaj me të tjerët