GJILAN/ Humanitet në vepër para fillimit të vitit shkollor

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Fadil Ademaj, i shoqëruar nga dy miqtë e tij nga Velekinca, Selami Neziri dhe Dushi Bunjaku, i janë bashkuar iniciativës humanitare për t’u dalë në ndihmë familjeve me nevojë para fillimit të vitit të ri shkollor.

​Me iniciativë vetjake, tresha ka dhuruar 470 fletore si dhe materiale të tjera përcjellëse shkollore. Aksioni i tyre është shtrirë në disa fshatra të Gjilanit, ku mjetet janë shpërndarë falas për nxënësit që kanë më së shumti nevojë.

​Për këtë gjest solidaritet ka njoftuar Dardan Veseli, përfaqësues nga organizata “Islamic Relief Kosova” në Gjilan, i cili ka vlerësuar lart kontributin e komunitetit.

​”Aktiviteteve humanitare u shtohet edhe më shumë vlera kur në to përfshihet drejtpërdrejt edhe komuniteti. Fadili, së bashku me shokët e tij Dushin dhe Selamiun, me iniciativë të tyre kanë sjellë në shoqatën tonë 470 fletore dhe materiale të tjera përcjellëse. Ky është një shembull i bukur se si iniciativa individuale mund të shndërrohet në një ndihmë të madhe për fëmijët,” ka bërë të ditur Veseli.

Nga organizata “Islamic Relief Kosova” kanë falënderuar donatorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke bërë të ditur se grumbullimi i kontributeve do të vazhdojë deri më 1 shtator, me synimin që sa më shumë fëmijë ta nisin vitin e ri shkollor të përgatitur.

Shpërndaj me të tjerët