MJEDIS/Këshilli i fshatit Dobërçan alarmon për ndotjen e mjedisit: “Kjo është çmenduri, dikush duhet t’i ndalë!”

Këshilli i fshatit Dobërçan të komunës së Gjilanit ka reaguar me shqetësim të madh lidhur me hedhjen e jashtligjshme të mbeturinave në hapësirat natyrore dhe pronat private të këtij fshati.

Përmes publikimit të disa fotografive që dëshmojnë gjendjen e rënduar në terren, përfaqësuesit e fshatit kanë dënuar ashpër këtë dukuri shkatërruese për mjedisin.

​Në reagimin e tyre publik, anëtarët e Këshillit të fshatit e kanë cilësuar këtë veprim si një veprim të papranueshëm që dëmton drejtpërdrejt të ardhmen dhe cilësinë e jetës në këtë lokalitet.

Kjo është kultura jonë, kjo është çmenduri. Kur fillojnë të shkatërrohen edhe pronat private, nuk ka më jetë në atë vend. Këtu duhet të intervenojmë ne si fshat, që të mos vijmë në situata të pakëndshme si shoqëri. Dikush duhet t’i ndalë këta jo-njerëz! Mjaft më, mos e shëmtoni çdo të mirë të këtij vendi”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Përmes këtij shkrimi, Këshilli i Dobërçanit u ka bërë thirrje të gjithë banorëve dhe qytetarëve me ndërgjegje ekologjike që të mos hezitojnë të raportojnë çdo rast kur shohin persona duke hedhur mbeturina jashtë vendeve të caktuara, me qëllim parandalimin e mëtejmë të këtij degradimi.

Shpërndaj me të tjerët